Policia e Lushnjës ka arrestuar dy persona, Izet Boriçi dhe Valier Boriçi, babë e bir, të cilët akuzohen për shitje të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.
Autoritetet policore raportojnë se në pranga janë vënë shtetasit I. B., 61 vjeç, dhe djali i tij, shtetasi V. B., 32 vjeç, të dy banues në Lushnjë.
Ata kishin kthyer banesën e tyre në lagjen “Skënder Libohova” në bazë të përgatitjes dhe shitjes së lëndëve narkotike. Uniformat blu kanë sekuestruar 420 doza heroine, 77 doza kokaine, një sasi lënde e dyshuar si përzierës i lëndëve narkotike, 2 peshore elektronike, vlerë monetare që dyshohet të jetë përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe 3 celularë.
Policia njofton se vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave te tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.