Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka dalë me një qëndrim të fortë publik lidhur me rikandidimin e Sali Berishës për kreun e PD-së në 23 maj.
I ftuar në media, Salianji u shpreh se Partia Demokratike ka ardhur duke u dobësuar në vitet e fundit, duke ia faturuar këtë situatë lidershipit aktual.
Sipas tij, PD ka qenë më e fortë në periudhën kur Berisha nuk ishte në drejtimin e partisë, duke kërkuar hapur largimin e tij nga kreu.
“Berisha duhet të largohet. Partia Demokratike ka qenë më e fortë kur ai nuk ishte kryetar. Sot ka humbësa rreth vetes, në kupolë, që vijojnë të mbajnë poste”, u shpreh Salianji.
Ai kritikoi gjithashtu strukturën drejtuese të partisë, duke theksuar se duhet respektuar standardi i vendosur më herët për dorëheqjen pas humbjeve zgjedhore, të cilin e cilësoi si “neni Basha”.
Në lidhje me një kandidim të mundshëm për kreun e PD-së, Salianji tha se është duke përgatitur një platformë me diagnozën e problemeve të partisë dhe propozimet për zgjidhje, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të hyjë në garë.
Zhvillimet në Partinë Demokratike pritet të intensifikohen në javët në vijim, ndërsa gara për drejtimin e saj hyn në një fazë të re përballjesh politike dhe ideologjike.



