Më 1 Qershor 2023 emisioni “Stop” transmetoi denoncimin e një qytetari, që pretendonte se në zyrën e Postës Shqiptare në Kuçovë, jepen pensionet edhe pa pasur prokurë, madje pa kërkuar as dokument identifikimi të personit, që e tërheq. “Stop” verifikoi situatën dhe me lehtësi tërhoqëm pensionin e një pensionisteje, e cila nuk jetonte në Kuçovë.
Gjithçka që u desh ishin të dhënat e të moshuarës dhe numri i regjistrimit të pensionit. Pasi morëm pensionin e Majit, nuk u mjaftuam me kaq. I kërkuam punonjëses së Postës edhe pensionin për Qershorin, kundrejt një pagese nën dorë. Sërish mundëm të merrnim edhe pensionin e Qershorit, duke paguar për të dy muajt 15 mijë lekë të vjetra në dorë. Pasi bëmë “eksperimentin e suksesshëm”, i dorëzuam zonjës së moshuar pensionin për dy muajt, duke i dhënë edhe diferencën e “ryshfetit”.
Në emisionin investigativ “STOP” u provua me kamera e fakte se në zyrën e postës në Kuçovë, pensionet tërhiqeshin me lehtësi të habitshme dhe pa asnjë kontroll ligjor, duke shkelur çdo rregull administrativ.
Por skandali thellohet edhe më tej: punonjëset e postës, përfshirë dhe drejtuesen e saj Rafaela Domi, dyshohen se përmes sistemit të paradhenies u jepnin pensionistëve para borxh me interes, një formë moderne e fajdes shtetërore mbi shtresat më të pambrojtura.
Prokuroria e Beratit, pasi ka mbledhur informacionet dhe ka kryer akt-ekspertimet përkatëse, është në fazën përfundimtare të hetimeve dhe pritet të ndalojë jo vetëm drejtoreshën, por edhe të identifikojë rrjetin e bashkëpunëtorëve brenda institucionit.
Deri tani janë 7 punonjës të implikuar drejtpërdrejt në këtë aferë korruptive që ka shkatërruar besimin ndaj një prej institucioneve më të ndjeshme për qytetarët.
Ky nuk është më vetëm abuzim me detyrën, është krim i organizuar në formën e ngusht ndaj të moshuarve, ndaj dinjitetit dhe ndaj vetë shtetit!
Drejtoresha e postës Kuçovë, Rafaela Domi drejt prangave pas zbulimit të një skandali tronditës që përfshin shpërndarjen e pensioneve pa dokument identifikimi, pa prokurë dhe madje për persona që nuk jetonin fare në qytet.