Kamarieri humbi jetën pasi e zuri ashensori, kapet pas 1 muaji pronari i lokalit në Sarandë

Pas një muaji në kërkim, policia ka vënë në pranga Spiro Iljadhin. Ai ishte shpallur në kërkim pas vdekjes së një kamarieri 17-vjeçar pasi e zuri ashensori i lokalit ku punonte.

“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi më datë 26.08.2023, në lokalin në pronësi të tij, për shkak të këputjes së kavos së ashensorit, humbi jetën një 17-vjeçar i punësuar në këtë lokal”, njoftoi policia.

Iljadhi u kap në Qafë Botë.

 

I ndjeri Andonio Delilaj punonte në lokalin “Orange Club” kur një ashensor që shërbente kryesisht për furnizimin e lokalit iu këput kavoja.

Për pasojë, 17-vjeçari humbi jetën. Në pranga në lidhje me këtë ngjarje është vënë edhe Lulzim Allkushi, montuesi i ashensorit.

Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut pas inspektimeve që bëri në lokalin e natës tha se pajisja që shërbente si ashensor për transportimin e mallrave në lokalin e natës në Sarandë ku vdiq punonjësi 17-vjeçar, nuk ishte ashensor por pajisje e improvizuar për transport mallrash.

Të Fundit