Themeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka reaguar publikisht për herë të parë pas publikimit të dokumenteve të reja që lidhen me hetimet ndaj Jeffrey Epstein, duke pranuar se ka bërë një gabim që ka kaluar kohë me të dhe se pendohet për çdo kontakt.
Në një intervistë të dhënë në Australi për Channel Nine News (9 News Australia), Gates u shpreh se ka qenë “budalla” që ka pranuar të takohej me Epstein dhe se sot e konsideron këtë një vendim të gabuar.
“Pendohem për çdo minutë që kam kaluar me të. Ishte një gabim”, deklaroi Gates, duke shtuar se është një nga shumë njerëzit që sot ndihen keq që kanë pasur lidhje me financierin e ndjerë, i cili u akuzua për trafikim seksual të të miturve.
Reagimi i Gates vjen pas publikimit të një email-i të vitit 2013, i përfshirë në dokumentet e fundit të Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Email-i ishte shkruar sikur t’i drejtohej vetë Gates-it, me përshëndetjen “Dear Bill”, por sipas miliarderit nuk i është dërguar kurrë atij.
“Është e qartë se Jeffrey i ka shkruar një email vetes. Ai nuk u dërgua kurrë dhe nuk e di se çfarë kishte në mendje”, sqaroi Gates.
Në email, Epstein bën pretendime të rënda, përfshirë referenca për një sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe akuza se Gates i kishte kërkuar të siguronte antibiotikë për t’ia dhënë fshehurazi bashkëshortes së tij të atëhershme, Melinda French Gates. Këto pretendime janë mohuar kategorikisht nga Gates dhe përfaqësuesit e tij.
Duke folur për 9 News Australia, Gates theksoi se kontaktet e tij me Epstein kanë qenë të kufizuara vetëm në disa darka dhe se nuk ka vizituar kurrë ishullin privat të tij.
“Nuk kam pasur asnjë kontakt me gra dhe nuk kam qenë kurrë në ishull. Sa më shumë fakte dalin në dritë, aq më e qartë bëhet se, edhe pse ky kontakt ishte një gabim, nuk kishte asnjë lidhje me sjellje të tilla”, përfundoi ai.
Dokumentet e publikuara së fundmi përfshijnë miliona faqe dhe përmendja e emrave në to nuk nënkupton fajësi apo përfshirje penale, por kanë rikthyer në vëmendje lidhjet e figurave të njohura me Epstein dhe ndikimin në imazhin e tyre publik.




