Avokati Armand Tragaj, një nga personat ndaj të cilëve është caktuar masë sigurie në kuadër të mega-operacionit antidrogë “Ura” Shqipëri-Itali, kërkoi sot në Gjykatën e Posaçme shfuqizimin e masës.
Tragaj, i cili ka mbajtur më parë detyrën e sekretarit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, u shfaq para gjykatës duke argumentuar se ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike dhe se situata familjare kërkon praninë e tij.
“Jam i rënduar psikologjikisht. Kam dy prindër të sëmurë, një njerkë të paralizuar, një vëlla në institucion psikiatrik dhe një bashkëshorte që kujdeset për fëmijën tonë të vogël. Kërkoj të jem pranë familjes në këtë moment të vështirë,” deklaroi Tragaj gjatë seancës për rikonfirmimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarve për përfshirje në grup kriminal.
Operacioni, i cili çoi në lëshimin e 52 urdhër-arresteve, është konsideruar një prej goditjeve më të mëdha ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës dhe përfshiu bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe italiane.