“Mos e prek kalin se është i acaruar sot!”. Kjo ka qenë shprehja që, sipas burimeve, ndezi debatet mes autorit dhe viktimës në Kalanë e Beratit, duke përfunduar në vrasje.
Burime zyrtare nga DVP Berat bëjnë me dije se autori i ngjarjes, 63-vjeçari Kristo Mema (i njohur edhe si Kontandin Hoxha), është konfliktuar me Keli Hoxhën, pasi ky i fundit kishte prekur kalin e tij. Sipas dëshmisë së autorit në polici, ai i kishte thënë viktimës të mos e prekte kalin, pasi kafsha ishte e acaruar dhe nuk ndihej mirë.
Mema ka deklaruar se, pas kësaj, viktima e ka sharë dhe e ka ofenduar rëndë, ndërsa në gjaknxehtësi e sipër, ai ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka goditur disa herë.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit, ka çuar kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe është fshehur në një nga shpellat e kalasë për t’i shpëtuar policisë.
Nga ana tjetër, familjarët e viktimës kanë deklaruar në polici se konflikti nisi vetëm sepse viktima kishte prekur kalin me dorë. Ata theksojnë se Keli Hoxha nuk e ka sharë apo ofenduar autorin, por është goditur papritur, pasi i kishte thënë vetëm: “S’ka asgjë të keqe.”.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30 të pasdites së djeshme në lagjen “Kala” të Beratit. Viktima Keli Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë dhe me origjinë nga Tropoja, ndërroi jetë sapo mbërriti në Spitalin Rajonal të Beratit, për shkak të plagëve të marra. Autori Kristo Mema u kap disa orë më vonë, i fshehur në “Shpellën e Memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit.
Hetimet zbuluan se ai ka qenë më parë i përfshirë në një tjetër ngjarje të rëndë, një vrasje të kryer në vitin 1993 në Berat. Pas krimit të parë, Mema ishte larguar në Greqi për rreth 25 vjet dhe kishte ndërruar emrin. Për atë ngjarje, ai nuk kishte vuajtur asnjë ditë burg, pasi vepra ishte parashkruar.



