“Ka vdekur, mos e kërkoni”- Detaje nga gjetja e trupit të 30-vjeçarit në Spanjë

Detaje të reja janë mësuar lidhur me gjetjen e trupit të pajetë të Miklovan Danajt, 30 vjeçarit me origjinë nga Shkodra, i cili u gjet i pajetë pranë brigjeve të Marbellës në Spanjë.

Trupi i tij është zbuluar nga autoritetet më 24 gusht, ndërkohë që lajmi u publikua të hënën e 1 shtatorit.

Autoritetet shqiptare janë njoftuar zyrtarisht për identifikimin e tij, ndërsa hetimet po vijojnë për shkaqet e vdekjes.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia spanjolle ka gjetur dy dokumente identiteti me të dhëna të ndryshme, duke ngritur dyshime se i riu mund t’i kishte përdorur për t’iu shmangur ndjekjes së autoriteteve.

Danaj kishte humbur kontaktet me familjen që prej muajit maj, të cilët kishin denoncuar zhdukjen në polici ku deklaruan se kishin marrë një mesazh që njoftonte vdekjen e tij.

“Ka vdekur, mos e kërkoni”- ishte mesazhi që i kishte shkuar familjarëve.

30-vjeçari dyshohet se kishte lidhje me trafikimin ndërkombëtar të kokainës dhe bashkëpunonte me klane kriminale jashtë Shqipërisë. Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim mes autoriteteve spanjolle dhe atyre shqiptare.

Të Fundit