Erjon Xhemali tregon, se në vitin 2017 ka firmosur një kontratë paraprake shitblerjeje me firmën “Globus Construction” me bashkëpronarë Sokol Mediaj dhe Spiro Pando, për blerjen e një apartamenti 1+1, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, në Vlorë. Pasi bleu dhe mobiloi apartamentin, Xhemali u largua për Itali. Kur u kthye në verën e 2021, gjeti derën e apartamentit të mbyllur nga një zotëri, që pretendonte, se ishte pronari i truallit. Ndërtuesit i thanë, se kishte ndodhur një gabim, por më pas, nuk iu përgjigjën më telefonatave të tij.Xhemali denoncoi rastin në Prokurorinë e Vlorës për marrje prone me mashtrim, por prokuroria vendosi mosfillim të çështjes. Arsyeja ishte, se nuk kishte vepër penale, por një mosmarrëveshje juridiko-civile, që palët mund ta zgjidhnin në gjykatë, sipas kontratës noteriale. Kontrata paraprake dhe pagesat, që ai ka kryer, dokumentojnë qartë plotësimin e detyrimeve financiare nga blerësi, ndërsa kontrata e vitit 2016 midis ndërtuesve dhe pronarit të truallit tregon, se apartamenti ishte pjesë takuese e dikujt tjetër.




