“Ka nisur Rilindja Urbane 2.0″/ Rama: Forcat e xhenjos nuk largohen nga Thethi deri kur të hiqen mbeturinat e fundit!

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me aksionin e IKMT në Theth për prishjen e objekteve pa leje.

Rama thotë se forcat e xhenjos vijojnë heqjen e mbetjeve pas prishjeve, ndërkohë që mbetet edhe një godinë masive për t’u shembur. Ai e ka konsideruar këtë aksion, si pjesë të “Rilindjes Urbane 2.0”.

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot.

Forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale.

Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama.

Të Fundit