Jo më energji për ndërtimet pa leje, OSHEE: Nuk do ketë linja elektrike për objektet që nuk kanë dokumentacion

Në vijim të aksionit të qeverisë për të liruar hapësirat publike, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi se për ndërtimet pa leje nuk do të lidhet energjia elektrike. OSHEE thotë se do të forcojë kontrollet në këtë drejtim për të identifikuar rastet që janë në shkelje me ligjin.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike:

“OSHEE është angazhuar për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin. OSHEE nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes së ndërtimit”,

Ky reagim vjen në një kohë kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me bashkitë, po ndërhyn në disa zona urbane dhe bregdetare, duke shembur ndërtimet pa leje që kishin zënë trotuare apo parqe. Aksioni i ndërmarrë nga qeveria është shtrirë aktualisht në Tiranë, Theth, Vlorë, ku janë shembur ndërtime pa leje që pengonin aksesin e qytetarëve në hapësirat publike.

Të Fundit