‘Jepjani vendeve që janë prekur më shumë nga pandemia’, Koreja e Veriut refuzon vaksinat – Stop
Bota, Të Gjitha

‘Jepjani vendeve që janë prekur më shumë nga pandemia’, Koreja e Veriut refuzon vaksinat

Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi se Koreja e Veriut ka kërkuar që rreth 3 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 që i janë ofruar, të dërgohen në vende të tjera të cilat janë prekur më shumë nga pandemia.

Vaksinat që iu ofruan Koresë së Veriut ishin të kompanisë kineze “Sinovac”, pjesë e programit COVAX, që ka për qëllim të ndihmojë vendet e varfra me doza të vaksinës anti-COVID.

Kjo nuk është hera e parë që Koreja e Veriut refuzon vaksina kundër coronavirusit. Në muajin korrik, ky vend refuzoi rreth dy milionë doza të vaksinës AstraZeneca, pasi kishte shqetësime rreth efekteve të mundshme anësore. Gjithashtu vendi komunist ka refuzuar disa herë vaksina të ofruara nga Rusia.

Koreja e Veriut ka shprehur dyshime mbi efikasitetin e vaksinave anti-COVID. Mediat shtetërore raportojnë shpesh për raste në Shtetet e Bashkuara dhe Europë, ku individët kanë reaguar negativisht ndaj vaksinës.Koreja e Veriut nuk ka regjistruar zyrtarisht asnjë rast me COVID-19 që nga data 19 gusht.

Ndërkohë, shteti i izoluar ka vendosur masa të rrepta kufizuese që nga fillimi i pandemisë. Koreja Veriore ishte një ndër vendet e para që i mbylli kufijtë në janar të vitit të kaluar.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *