Kryetari aktual i Partisë Demokratike, ka zhvilluar një takim këtë të shtunë me demokratët e qarkut të Durrësit. Në bashkëbisedimin me to, Basha ka renditur të gjitha arsyet që dërguan në humbjen e PD në zgjedhje.
Sipas liderit të PD, votat e 25 prillit janë manipuluar, duke e cilësuar atë si “masakra elektorale të 25 prillit”. Basha po ashtu, shtoi se fitorja e PS në zgjedhje, u arrit përmes “dredhisë”. Ndër të tjera ai tha se nuk ka bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama, si dhe theksoi, se PD, nuk i njeh si legjitime zgjedhjet që sapo lamë pas.
“Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, përshëndetje nga zemra, me një mirënjohje të thellë për gjithsecilin prej jush këtu në këtë sallë për qindra, për mijëra demokratë të degës së Durrësit, për betejën e jashtëzakonshme, për sakrificat, për vetëmohimin, për punën e palodhur që keni kryer gjatë betejës së 25 prillit. Për drejtuesit politik të kësaj beteje, për kandidatët tanë për deputet, për drejtuesit e Partisë Demokratike, kryetarët e grupseksioneve, anëtarët e kryesisë, për drejtuesit e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, dhe të përfaqësueses të e FRPD-së, të Lidhjes Demokratike të Gruas, të gjithë aktivistët e fushatës tonë të cilët në Durrës jo vetëm i arritën objektivat e përcaktuara elektoralisht, por i tejkaluan ato përkundër masakrës së jashtëzakonshme zgjedhore.
Një arsye e cila nuk rëndon dhe nuk është faj i asnjërit prej jush këtu në këtë sallë, as i demokratëve të Durrësit dhe as i qytetarëve të Durrësit. Ndaj, më vjen mirë që ndodhem sot këtu ndonëse jo në rrethanat në të cilat të gjithë do kishim dëshiruar të ishim bashkë sot teksa ju shoh drejtpërdrejtë në sy pas disa javëve tronditje, zhgënjimi dhe shoku, tani me kokat lartë, me të njëjtën zemëratë por po kështu besoj dhe jam i bindur me vendosmërinë që padrejtësinë e 25 prillit me të cilën u përballën durrsakët dhe mbarë shqiptarët, ta kthejmë në një energji për të qenë bashkë, krah më krah në vazhdimin e betejës dhe në çuarjen deri në fund të misionit që kemi marrë mbi supet tona, mbi supet tuaja, para të gjithë qytetarëve durrsakë dhe para të gjithë shqiptarëve.
Sepse vëllezër dhe motra, 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, njësoj si në 31 marsin e largët të vitit 1991, këto ishin zgjedhje pa zgjidhje. Dhe kjo për shkak të shtetit të bërë njësh me partinë dhe të partisë të bërë njësh me shtetin. Kjo për shkak të krimit të organizuar, të futur në çdo qelizë të shtetit dhe të aktivizuar e riaktivizuar për herë të dytë në Durrës. Në Durrësin e 339 që akoma mban peng negociatat dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Kjo për shkak të mizorisë, të poshtërsisë, të harbutërisë të një kundërshtari që nuk ka respekt për pluralizmin dhe e konsideron kundërshtarin politik si një armik. Unë e di sakrificën e gjithsecilit prej jush këtu në këtë sallë. E di se mbi ju është derdhur jo thjesht një fushatë politike ç’ka do ishte normale kjo edhe nga një parti në pushtet, por hakmarrja barbare e dikujt që nuk do dhe kurrë nuk i ka pranuar rregullat e pluralizmit. Hakmarrja barbare e atyre të cilët janë bërë njësh me këtë përpjekje kriminale për të mbajtur pushtetin e pakicës, duke ju mbivendosur vullnetit të shumicës.
Sepse 25 prilli njësoj si në ‘91 pa përballë dy palë. Nga njëra anë jo Partia socialiste, sepse nuk janë socialistet e Durrësit ata që vendosën Ilir Ndraxhin, Jurgen Çyrben, Rrahman Rrajen e Lefter Kokën me shokë në listën e kandidatëve, siç e dimë fare mirë socialistët e Durrësit dhe ne kundërshtarët e tyre. Ne nuk kishim përballë një parti qoftë kjo edhe në pushtet, por një shtet të vënë në shërbim të një bande politiko-oligarkiko-kriminale. Dhe nga ana tjetër kishim Partinë Demokratike njësoj si në ‘91, pa asnjë instrument pushteti, me përjashtim të pushtetit më të madh që na fal Zoti, që është pushteti i zemrave të kulluara të demokrateve, është pushteti moral, është pushteti i qëllimeve tona të drejta, është pushteti i vizionit tonë, i programit tonë për Shqipërinë, për shqiptarët, për Durrësin dhe për durrsakët.
Me këto instrumente zbritën palët në këtë betejë nga njëra anë një regjim i kompromentuar në palcën e krimit, me kriminel në krah, me njerëzit e dosjeve. Nga ana tjetër ekipi ynë me njerëz të sprovuar, me qëndrestarë, me intelektual, me përfaqësues të betejave tona ligjore dhe parlamentare, me njerëz të sprovuar të qëndresës ndër vite, ai me thesin e hapur si asnjëherë tjetër, as në 2001 dhe as në 2005 të buxhetit të masakruar të parave të shqiptarëve, i cili javën e fundit u derdh lumë mbi fatkeqit e tërmetit të cilëve pa asnjë transparencë dhe jo në bazë të vlerësimeve të drejta, ju ofruan në shkëmbim të votës 89 herë më shumë para në 5 ditët e fundit të fushatës sesa 15 muaj që i lanë në pikë të hallit. Legalizime për vota, ndërtime pa leje për vota, hashash për vota, punësime e shpunësime për vota.
Vëllezër dhe motra, më 25 prill ka ndodhur diçka shumë e rëndë. Është asgjësuar instrumenti i fundit dhe i vetëm i mbetur për rikthimin e legjitimitetit dhe të demokracisë në vend. Një pakicë të korruptuarish, të bërë njësh me një pakicë kriminelësh, i janë mbivendosur vullnetit të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që donin ndryshim më 25 prill.
Më 25 prill është asgjësuar mekanizmi i vetëm që njeh demokracia. A është kjo demokraci ku nuk respektohet vullneti i shumicës po i mbivendoset dhuna e pakicës? Sigurisht që jo! Në këtë betejë miqtë e mi, askush prej nesh nuk u fut me detyrim. Askush prej jush nuk u detyrua të futej në këtë betejë. Mund të kishit vendosur të rrinit në shtëpi. Mund të kishit vendosur të iknit jashtë shtetit. Mund të kishit vendosur të rrinit mënjanë. Mund të kishit vendosur, siç vendosi ndokush të shkelnit mbi sakrificat, djersën dhe gjakun e demokratëve dhe të shisnit shpirtin tuaj për të përçarë Partinë Demokratike dhe opozitën. Ju qëndruat jo sepse ju detyroi dikush. Ju zgjodhët të qëndronit në këtë betejë dhe e bëtë këtë betejë pa asnjë instrument tjetër përveç vlerave tona, programit tonë, e bëtë këtë betejë jo për mua dhe karrigen time, as për karriget tuaja, e bëtë këtë betejë për qytetarët durrsakë.
Prandaj ata ju ndoqën si asnjëherë tjetër. Prandaj na ndoqën në të gjithë Shqipërinë si asnjëherë tjetër. Si ka mundësi që në kushtet e një masakre zgjedhore dhe një shteti të bërë njësh me partinë dhe këtu përfshi edhe drejtësinë, si ka mundësi në kushtet kur është shpenzuar disa fish më shumë sesa në 2017-ën, Partia Demokratike të dal nga kjo betejë më e madhe? Më e madhe numerikisht, më e madhe me mandate dhe mbi të gjitha më e madhe moralisht, përgjigjja në bindjen time qëndron tek dy faktorë: faktori i parë është faktori që në këtë betejë dolëm me vlera. Ju përgjigjëm me vlera anti-vlerave dhe modelit të anti-vlerave që kurrkund në Shqipëri nuk është më i thellë dhe më i dukshëm sesa në Durrës, në Durrësin e qytetarisë. Faktori i dytë, është sepse pavarësisht pakënaqësive apo mosmarrëveshjeve që janë normale në çdo familje politike, ju demokratët e Durrësit ditët t’i linit mënjanë ato e të bashkoheshit e të vazhdonit krah më krah betejën në interes të qytetarëve shqiptarë. Këto janë dy faktorët kryesorë se pse masakra jo vetëm nuk na theu, por na bëri më të fortë dhe sepse pas 25 prillit buza e kundërshtarit nuk qesh, sepse është i vetëdijshëm për masakrën, për krimin që ka kryer. Është i vetëdijshëm se nuk ka sjell asnjë zgjidhje, nuk i është përgjigjur asnjë pikëpyetje të para 25 prillit.
Ndaj, i është rikthyer manovrave, dy prej të cilave shquhen. E para, dredhia, hileja e shtrirjes së dorës për gjoja bashkëpunim pa kushte e pa vija të kuqe e me letra të bardha. Tani më nuk ka shqiptarë që nuk e njeh dredhinë dhe mashtrimin si dy vetitë kryesore të Edi Ramës. Po pse e bën pikërisht tani? Sepse e njeh forcën me të cilën kemi dalë nga kjo betejë. Sepse e di që edhe durrsakët e thjesht, edhe shqiptarët e thjesht, shokut dhe tronditjes po i lë vend zemërimi dhe do në këtë mënyrë të zbus e mundësisht të zhduk betejën që e pret. Dhe kjo mund të arrihet duke na bërë pjesëtarë të masakrës, pjesëtarë të vjedhjes, pjesëtarë të krimeve zgjedhore dhe të tillë do të bëhemi nëse pranojmë bashkëqeverisjen nëse e kapim dorën e shtrirë te hajdutit të vullnetit të shqiptarëve me 25 prill.
Dy përgjigje të qarta dhe të prera për dy pyetje që shtrohen e rishtohen. Kryetari i Partisë Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e kësaj masakre dhe i ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen në të vetmen rrugë që ka një shoqëri e civilizuar, e në veçanti një shoqëri që është nisur për në destinin Europian. Mos ta pranojmë rënien e demokracisë, mos ta pranojmë mbivendosjen e vullnetit të pakicës mbi pakicën mbi vullnetin e shumicës por të bëjmë me gjithë format dhe mënyrat betejën tonë deri në rikthimin e legjitimitetit, demokracisë dhe përmes tyre ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha.