“Javën e ardhshme hapet gara për aeroportin e Sarandës”, Rama: Do hapim akademinë e aviacionit në Shqipëri – Stop
Lajme, Të Gjitha

“Javën e ardhshme hapet gara për aeroportin e Sarandës”, Rama: Do hapim akademinë e aviacionit në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë për nënshkrimin e nisjes së punimeve në aeroportin e Vlorës, tregoi, se javën e ardhshme mund të hapet gara për aeroportin e Sarandës.

Rama tha ndër të tjera, se me Behgjet Pacollin, njeriut që qëndron pas ndërtimit të aeroportit të Vlorës, ka folur për të hapur në Shqipëri akademinë e aviacionit.

Kryeministri deklaroi, se me 4 portat hapëse nga qielli, me aeroportet e Tiranës, Vlorës, Kukësit dhe Sarandës, po edhe me katër portet, Shëngjinit, Vlorës, Durrësit dhe Sarandës, Shqipëria do të ketë një bum të madh ekonomik.

“Behgjeti e pat tentuar dikur të transformonte hotel Dajtin e shkartuar në një pikë referimi për krejt prespektivën e turizmit dhe e pat bërë në kohën kur këtu as mund të mendohej që Shqipëria do të behej kaq shpejt vend atraktiv turistik. Në kohën kur këtu ishte errësirë e plotë dhe me siguri nëse do të ishte pritur më mirë dhe jo me këmbët e para nga autoritetet e kohës dhe do të krijonte hotel Dajtin, do të ishte një dallëndyshe e parë që do të lajmëronte ardhjen e turizmit në Shqipëri. Ai e humbi jo dëshirën, por motivin për të kërkuar të bënte diçka.

 

 

Gjërat erdhën në këtë mënyrë. Besoj që është vendi i duhur me njeriun e duhur, në kohën e duhur, për të bërë diçka fantastike për Shqipërinë dhe për të bërë një gjë që të realizojë ëndrrën e Behgjetit, që emri i tij të mbahet mend si një patriot i madh. Ai e ka pasur mundësinë të kalojë kohën me jahte, me sheikë, por, që të gjitha i vendosi në dispozicion të Kosovës, duke u përfshirë në një hapësirë si ajo e politikës shqiptare, që nuk është as dashamirëse për ato që hynë në të me motivin për të lënë gjurmë. Unë e di shumë mirë që Behgjeti ka pasur një ëndërr të vjetër të bënte diçka në Vlorë, madje, një herë më ka thënë që do kisha menduar dy herë a në Kosovë a në Vlorë me lind. Bac është në dorën tënde.

Aeroporti i Vlorës është një aset i ri për ekonominë shqiptare, ne do të hapim katër aeroporte. Mbase javën tjetër, do të lancojmë garën për aeroportin e Sarandës, ndërkohë që gara për Vlorën është mbyllur. Pista e Vlorës, janë të tilla që udhëtimet për në Nju Jork të jenë edhe nga Vlora. Unë s’i ndahem gjërave që them, sepse gjërat bëhen jo gjithmonë kur dëshiron sepse ka dhe faktorë të tjerë. Por “Fan Nolin” do e çojmë në SHBA. Në Shqipëri, numri i vizitorëve do të rritet shumë, sepse nuk janë vetëm këto porta, por do të jenë edhe dy porta të vogla, ai sportiv i Gjirokastrës dhe Korçës, që ndonëse të një niveli tjetër, janë mundësi të hysh. Po ashtu, do të ndërtojmë 4 porte.

Disa insistojnë që Shqipëria s’ka nevojë për porte, aeroporte, por për bukë. E para njëherë që shqiptarët nuk kanë vuajtur për bukë që nga koha e Skënderbeut, them nga uria, kurrë. Do të kemi dhe dy porte tregtare, ato janë fabrikat më të mëdha të bukës për një vend, në kuptimin metaforik të fjalës. Flitet për bukën e madhe të ekonomisë, Kroacia ka 4 mln banorë dhe ka 9 aeroporte, është fuqia e 7 turistike e botës. Një vend i vogël, i cili, megjithëse është një vend i bekuar se ka kurrsesi të plotë dhuratën që na ka bërë zoti.

Sepse Zoti Shqipërinë e ka bërë ditën e diel, që e ka pas pushim. Do të bëjmë të mundur që njerëzit këtu të kenë mundësi punësimi cilësor. Në aeroportin e Vlorës do të duhen njerëz nga shumë zanate, duhen njerëz të trajnuar. Prandaj kemi folur me bacën Behgjet për të krijuar në Shqipëri akademinë e aviacionit. Jemi sot në një moment që realisht Shqipëria është pas vuajtjes vjen lehtësimi.

Përtej pandemisë na është hapur një horizont i gjerë dhe na duhet vetëm të punojmë. Jam i lumtur bac që të jem këtu me ty dhe të shoh si investitor në vendin tënd. Jam i bindur që ti do e bësh këtë aeroport më të bukur se 3D që është. Do bëjmë që Shqipëria të mos e ulë asnjëherë kokën, por ta ngrejë lart e më lart”, u shpreh Rama.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *