Java politike, më 11 shtator qeveria e re, më 12 Shtator mblidhet parlamenti i ri

Kjo javë do të shënojë dy ngjarje të rëndësishme politike. Të enjten, më 11 shtator kryeministri Rama do të prezantojë qeverinë e re ndërsa një ditë më pas do konstituohet parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Pritjes po i vjen fundi. Edi Rama e ka gati skuadrën e mandatit të 4 dhe do e prezantojë paraditen e kësaj të enjteje të 11 shtatorit përpara anëtarëve të Asamblesë së Partisë Socialiste.

Në një kohë kur termometri politik është rritur pasi na ndajnë vetëm 3 ditë nga koha kur do të mësohen zyrtarisht ministrat e rinj, pritet të konstituohet edhe parlamenti i ri.

Kështu, një ditë pas, më 12 shtator pritet të mblidhet kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Të premten, parlamenti do të zhvillojë dy seanca. Njëra prej tyre do të jetë paradite ku do të ngrihet komisioni i përkohshëm i verifikimit të mandateve dhe më pas sërish në të njejtën ditë pasdite do të rikthehen për të bërë betimin 140 deputetët si edhe do të zgjedhet kryetari i kuvendit.

Ky i fundit zgjidhet me propozimin e të paktën 15 deputetëve, me votim të fshehtë dhe pa debat me shumicën e votave.

Seancën e parë do e drejtoj socialisti Vasil LLajo si deputeti më i vjetër në moshë, kjo pasi as Sali Berisha dhe as Tritan Shehu nuk kanë pranuar që të drejtojnë këtë seancë.

Rezultatet e 11 majit prodhuan 83 mandate për partinë socialiste, 50 mandate për partinë demokratike, 3 mandate partia socialdemokrate, 2 mandate partia mundësia, 1 mandat shqipëria bëhet dhe 1 mandat lëvizja bashkë.

Nga 140 deputetë që ka kuvendi i shqipërisë, 72 janë deputetë për herë të parë në karrigen e parlamentit.

Të Fundit