Vijojnë replikat në distancë Rama-Basha. Kreu i demokratëve euroatlantikë, i është përgjigjur kreut të qeverisë, Edi Rama, i cili ditën e sotme e ironizoi duke thënë se nuk del nga bodrumi, ku Basha i tha se fshihet, pasi ka frikë se e mundin sërish.
Basha duke u ndalur te një lapsus i disa viteve më parë, ku tha se 7×7 bëjnë 42, sot me ironi, duke iu drejtuar shefit të qeverisë, tha se 7×7 nuk bëjnë më 42, po 313, duke iu referuar burgut në kryeqytet pasi disa zyrtarë të lartë të PS janë të arrestuar.
Gjithashtu Basha thotë se ai është në listë të hapur në zgjedhjet e 11 majit, ndryshe nga kreu i qeverisë i cili është në listën e mbyllur në Qarkun e Tiranës. Sipas kreut të demokratëve euroatlantikë, Rama e ka vendosur veten në listë të mbyllur, pasi është i frikësuar.
Basha: O Ramë, prap kishe pyetur për mua! Në listë të hapur jam, me koalicionin euroatlantik në Tiranë. Po ti ku je mo Ramë? Ke thënë që do jesh në listë të hapur. Nuk ishte, as në Tiranë, as Shkodër, as Vlorë, as Durrës, as në Fier. Ku je futur mo Ramë? Ke gjithë shtetin në dispozicion dhe prap shkon e futesh në listë të mbyllur. Apo ke ndonjë frikë. Frika të bën keq për gjumin, e di ti. S’mu përgjigje ku i ke shokët. E di atë këngën e Unikatilit, “Ku të kanë met shokët”. Ku i ke mo Ramë shokët? Sa bëjnë 7×7 mo Ramë? 313, aty ku i ke shokët. Ku e ke Lalin, ku e ke Beqajn, Benin. Po Jurgis Çyrben që nuk e zë më në gojë, si ka mundësi? Kishte bërë vota me bandat në Durrës për ty dhe ti as emrin nuk ia zë në gojë. Çfarë hallesh të kanë pllakosur, e kuptoj që nuk të zë gjumi. Merre qetë se fillimi është.