Në 14 janar transmetuam problemin e qytetarit Aleko Dalla nga Durrësi, i cili tregonte, se në vitin 2024 i kishin prezantuar Elton Jahon. Ky i fundit kishte thënë, se punonte në Ministrinë e Bujqësisë dhe kërkonte të investonte në një stallë, sipas një fondi, që jepte Bashkimi Evropian. Fondi ishte 420 milionë lekë të vjetra dhe Elton Jaho do të merrte 25% të shumës. Premtoi, se do të legalizonte tokën për të cilën mori 1 milionë e 500 mijë lekë. Më pas nxorri një problem me tokën dhe kërkoi edhe 1 milionë e 300 mijë lekë. Cdo gjë ishte në rregull vetëm, se Aleko duhet të priste.Ndërkohë, që stalla duhet të merrte rrugë, Eltoni i premtoi t’i fuste vajzën në punë, në bashkinë e Tiranës dhe kërkoi sërish 1 milionë e 200 mijë lekë, për të bërë disa “dhurata”. Meqë nuk po bëhej asgjë, qytetarit i filluan dyshimet dhe i kërkoi paratë mbrapsht.Elton Jaho premtoi, se do ia kthente 5 milionë lekë, por njëherë i tha, se i ka vdekur një i afërm e herën tjetër, se ishte i sëmurë me tumor.Pas shumë peripecive, gazetarja e “Stop” e gjeti Elton Jahon shëndoshë e mirë, por ai vijoi avazin e premtimeve, pa kthyer paratë.Saga e qytetarit ka hyrë në një spirale, që nuk i duket fundi.Elton Jaho ka shtyrë disa herë afatet, duke thënë, se nëse nuk kthen paratë, do të shkojë vetë në polici.
