“Jam i armatosur, ku është drejtori se do e vras.” Kështu është kërcënuar drejtori i Kontrollit të Territorit në IMT, Klajdi Meçi.
Gjatë ditës së martë, një person është paraqitur pranë zyrave të IMT-së dhe ka deklaruar se ishte i armatosur dhe se do të vriste Meçin.
Pas njoftimit për situatën nga stafi, Klajdi Meçi është paraqitur në Komisariatin nr. 3 në Tiranë dhe ka bërë kallëzim. Në deklaratën e dhënë përpara oficerëve të policisë, ai ka sqaruar se personi në fjalë ankohej për një objekt që, sipas Meçit, ka sigurim padie të miratuar nga Gjykata. Në bazë të legjislacionit në fuqi mbi të cilin operon Kontrolli i Territorit, objekti nuk mund të prishet.
Sipas Meçit, shtetasi në fjalë kërkon të shkelet vendimi gjyqësor duke kërkuar prishjen e objektit, por drejtori është shprehur se nuk është thelluar më tej mbi pretendimet konkrete të personit.
Policia ka shoqëruar personin e kallëzuar nga zyrtari i IMT-së.