Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetah për zëvendësimin e masës së sigurimit.
Kërkesa u paraqit më 27 janar 2025 dhe kishte si objekt ndryshimin e masës së sigurimit të vendosur me vendimet nr. 138, datë 22.11.2024 dhe nr. 146, datë 27.11.2024 të së njëjtës gjykatë, për shkaqe shëndetësore.
Në përfundim të shqyrtimit, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela vendosi me vendimin nr. 89, datë 01.04.2025:
Rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga Pajtime Fetah.
Mundësinë e ankimimit të vendimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda pesë ditëve nga data e njoftimit.
Ky vendim vjen në kuadër të përpjekjeve të drejtësisë për trajtimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
Ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, u arrestua në nëntor të vitit 2024 në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ajo akuzohet për korrupsion dhe lidhje me grupe kriminale në Elbasan, veçanërisht me organizatat e drejtuara nga vëllezërit Çopja dhe Suel Çela.
Sipas hetimeve, Fetahu dyshohet se ka marrë ryshfet nga anëtarë të këtyre grupeve kriminale, në këmbim të informacioneve sekrete dhe vendimeve gjyqësore në favor të tyre.
Pajtime Fetahu ka pasur një karrierë 20-vjeçare në sistemin e drejtësisë, por dha dorëheqjen në nëntor 2022, pak para se t’i nënshtrohej procesit të vetingut. Gjatë karrierës së saj, ajo është përballur me akuza të ndryshme, duke përfshirë pezullimin nga detyra në vitin 2017 për kërkesë të një ryshfeti prej 2 mijë eurosh për lirimin e një të burgosuri.
Aktualisht, Fetahu po mbahet në paraburgimim e Pogracedit dhe ka kërkuar të lirohet për arsye shëndetësore, por kjo kërkesë u rrëzua në seancën e zhvilluar këtë të martë në Gjykatën e Posaçme.