Jakup Krasniqi mban fjalën në Hagë: Në fazën e fundit të jetës, më janë mohuar të drejtat e njeriut

Jakup Krasniqi tha në fjalën përmbyllëse në seancën e fundit në Hagë se për më shumë se pesë vjet, i është mohuar e drejta e njeriut, duke theksuar ndër më të rëndësishmen, atë për të jetuar në liri.

“Pas më shumë se pesë vjetësh burgim të padrejtë dhe, sipas mendimit tim, të panevojshëm, angazhimi im politik dhe jetësor për jetë e liri ka nisur herët. Kam qenë i angazhuar që në fillim për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi, kundër politikave të persekutimit dhe gjenocidit të regjimit serb, të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës”, u shpreh Krasniqi.

“Për më shumë se pesë vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndër to, më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për t’i jetuar vitet e mbetura me dinjitet, pranë familjes dhe në atdheun e lirë”, tha ai.

Sot mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Të Fundit