Kabineti izraelit ka miratuar planin ushtarak për pushtimin e qytetit të Gazës, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, pas takimit të së enjtes.
“Ne miratuam planet e IDF-së për të mposhtur Hamasin në Gaza, me zjarr intensiv, evakuim të civilëve dhe manovra,” shkroi Katz në platformën sociale X.
Ai shtoi se “portat e ferrit do të hapen për Hamasin nëse nuk pranon kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës, kryesisht lirimin e pengjeve dhe çarmatimin”. Sipas tij, nëse kushtet refuzohen, Gaza do të ketë të njëjtin fat si Rafah dhe Beit Hanoun.
Plani ushtarak parashikon zhvendosjen e afërsisht një milion palestinezëve drejt jugut, rrethimin e qytetit dhe kryerjen e operacioneve tokësore në zonat e banuara.
Ndërkohë, Hamasi njoftoi të hënën se ka pranuar një propozim për armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e tij.