Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të enjte pasi Gjykata e Tiranës rrëzoi padinë e tij për shpifje ndaj Lulzim Bashës.
Në një reagim të gjatë në rrjetin social “X”, Rama shkruan se gjykatëses i janë dashur shtatë vite për të dalë në konkluzionin se ai, si paditës, nuk ka pësuar ndonjë dëm, pasi ende mban detyrën e kryeministrit dhe se deklarata e Bashës nuk ka ndikuar në perceptimin publik.
Sipas Ramës, kjo është për të qarë e për të qeshur ndërsa më tej, ai shkruan se dhe për kërkesën e gjyqtarëve për rritje page, duke theksuar se gjykatësja në fjalë është anëtare e unionit që kërkon të paguhet me 700 euro më shumë.
Kryeministri thekson se problemi real është se si do të trajtohen çështje shumë më të rëndësishme për qytetarët që varen nga gjykatës si kjo, që sipas tij, “e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12-vjeçari”.
Kujtojmë që kreu i qeverisë e kishte paditur Bashën në vitin 2018 për cenim të nderit dhe personalitetit, duke kërkuar që ai të dëmshpërblente dëmin jo pasuror në vlerën prej 1 milion lekësh.
Basha kishte hedhur akuza për përfshirjen e eksponentëve të Partisë Socialiste dhe strukturave të saj në bashkëpunim me grupe kriminale për blerje votash.
“Gjykata, bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, në dispozitat ligjore përkatëse dhe në arsyetimin e mësipërm, çmon se padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova”. thuhet në njoftimin e gjykatës.
Reagimi i plotë i Edi Ramës:
“Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se unë ‘si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata’, pra shpifja e Lulit ‘nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik’!!!
Pra, sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar dot nga detyra!!!
Tani, që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, por nga një gjykatë, dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, por një gjykatëse që paguhet më shumë sesa një pedagoge apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur. Kur mendon pastaj që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page prej 700 eurosh nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim!
Ndërsa, po t’i shtosh kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore edhe dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh me zë shumë të lartë:
A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!
Pra të kuptohemi mirë, halli nuk është fare se çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë s’e marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh 🙂
Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve të këtij vendi, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, tipa që e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12-vjeçari!!!”, shrkuan Rama.