Iu depozituan aksidentalisht 390,000 euro në llogari, gruaja i shpenzon brenda pak orëve dhe përballet me drejtësinë

Një ngjarje e pazakontë ka tronditur Argjentinën ditët e fundit, ku protagonistja është një grua e quajtur Veronica Acosta, e cila përfundoi nën akuzë për mashtrim pasi mori aksidentalisht një shumë marramendëse prej 500 milionë pesos argjentinase (rreth 390 mijë euro) në llogarinë e saj bankare.

 

Historia nisi kur Acosta priste një shumë të vogël prej vetëm 8,000 pesos si pagesë mbështetëse nga ish-bashkëshorti i saj, por në vend të saj, në llogarinë e saj u depozitua një shumë shumë më e madhe. Pa humbur kohë, ajo kreu 66 transaksione përmes transfertave dhe blerjeve të ndryshme, disa për vete dhe disa në emër të të afërmve të saj.

Sipas mediave vendase, brenda orëve të para pas depozitimit, Acosta bleu një makinë, pajisje shtëpiake si frigorifer, dy televizorë, një mikrovalë, një fritezë, madje edhe një kapak tualeti dhe pllaka për shtëpinë. Vetëm në 10 minutat e para pas hyrjes së parave, ajo kreu 12 transaksione.

Mendova se ishin 500 mijë, jo milionë. Me gjithë ato nevoja, shkova në supermarket, ndihmova familjen, u transferova para vëllezërve të mi,” shpjegoi Verónica.

Rasti u zbulua nga një zyrtar financiar në provincën San Luis dhe prokuroria ngriti padi ndaj gjashtë personave, përfshirë Acostën, me akuza për mashtrim. Gjykata vendosi që secili i pandehur duhet të paguajë një garanci prej 30 milionë pesos për të shmangur arrestin.

Autoritetet njoftojnë se rreth 90% e shumës së gabuar është rikuperuar, ndërsa pjesa tjetër është bllokuar në llogari elektronike.

Në mbrojtje të saj, Acosta tha se kishte nevoja të mëdha ekonomike dhe se nuk kishte ndërmend të mashtronte. Avokati i saj deklaroi se bëhej fjalë për një gabim të qeverisë dhe se po përpiqen t’i vënë fajin qytetarëve: “Ky nuk është një rrjet mashtruesish. Gabimi ishte i qeverisë dhe tani kërkojnë të fajësojnë të tjerët. Kërkesa për garanci është shkatërruese.”

 

Të Fundit