Sot, Forca Detare e Republikës së Shqipërisë merr në dorëzim anijen luftarake italiane “Libra”, një korvetë e tipit “Casiopea”.
Ky dhurim është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të Forcës Detare të Shqipërisë, duke mundësuar përmirësimin e mbrojtjes detare dhe kontribuimin në misionet ndërkombëtare të NATO-s dhe stabilitetin rajonal.
Anija “Libra” është pjesë e klasës “Casiopea”, e cila ka shërbyer në marinën italiane për më shumë se 30 vjet. Ajo është e pajisur me sisteme radarësh të sofistikuara, gjithashtu ka aftësi për operacione kërkim-shpëtimi dhe për mbrojtjen e infrastrukturës detare kritike.
Me mundësi të lartë autonomisë dhe kapacitete operacionale të avancuara, “Libra” do të shërbejë si një aset i rëndësishëm për forcën detare shqiptare.
Ajo do të kontribuojë në sigurinë detare të Shqipërisë dhe në stabilitetin rajonal, duke përmbushur misionet e NATO-s dhe duke mbështetur ruajtjen e paqes në hapësirën detare të Adriatikut dhe Jonit.
“Sot nënshkruhet marrëveshja e mirëkuptimit për procesin e dorëzimit të anijes italiane për Forcën Detare të Republikës së Shqipërisë. Është një moment ku Forcat Detare të Republikës së Shqipërisë, duke konsideruar në tërësi si pjesë e Forcave të Armatosura, vlerësimin e situatës së sigurisë dhe në aspektin detar, merr në dorëzim këtë këtë anije me kapacitete luftarake, e cila bën edhe kërcimin cilësor të kapaciteteve aktuale të Forcës Detare të Republikës së Shqipërisë në misionet e zbatimit të mbrojtjes dhe ruajtjes së infrastrukturës kritike ndërkombëtare detare. Kjo është një anije ka kapacitete shumë të mira operacionale, shumë e integrueshme me të gjitha kapacitetet e NATO-s dhe do të shërbejë gjatë periudhës së saj të shërbimit në Forcën Detare, jo vetëm në misionet të ruajtjes së sigurisë dhe paqes në hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë dhe Adriatik dhe Jon, por dhe më gjerë në Mesdhe, atje ku detyra dhe misionet e NATO-s do të na kërkojnë. Ky është një kapacitet i shtuar nga pikëpamja e cilësive operacionale, po dhe autonomisë që ka. Është diçka që duhej në këto momente”, tha nënadmiral, Adnand Agastra.