Taulant Malaj, 45-vjeçari shqiptar i cili vrau të bijën e tij 16-vjeçare, Xhesika Malaj, si dhe një 50-vjeçar me të cilin dyshonte se gruaja e tij kishte lidhje jashtëmartesore, ka dhënë dëshminë e tij përpara prokurorëve italianë.
“Gruaja ime pranoi që kishte lidhje me Massimon, më kërkoi falje për këtë lidhje, por unë doja të ndahesha”, i tha Malaj prokurorit.
Sipas rrëfimit të bukëpjekësit shqiptar, ditët e fundit kishte pasur debate në familje, gjithmonë për tradhtinë e pretenduar dhe i kishte kërkuar divorcin bashkëshortes.
Megjithatë, gruaja e tij e bindi të qëndronte në shtëpi dhe të vijonin martesën. Malaj, në rrëfimin e tij deklaron se e kishte gjetur disa herë gruan e tij në katin e tretë të pallatit, ku banonte 50-vjeçari italian me të cilin dyshohej se kishte një lidhje.
Zënka ditën e ngjarjes së rëndë ndodhi për shkak të disa mesazheve që burri gjeti në telefonin e bashkëshortes.
“Ishin në shtrat, gruaja filloi të bisedonte me dikë. Malaj pa telefonin e gruas dhe zbuloi se ajo po bisedonte me fqinjin, Massimo De Santis. Doli nga shtëpia dhe priti që burri të kthehej në shtëpi. Sapo Massimo hyrë në derë e goditi me thikë dhe e vrau”, deklaruan avokatët mbrojtës të shqiptarit, në dëshminë e plotë të publikuar nga mediat italiane.
“Fillimisht ka vrarë Massimon, më pas është ngjitur në shtëpi ku ka nisur të godasë me thikë gruan dhe më pas vajzën, e cila po tentonte të mbronte nënën e saj. Në atë moment, i verbuar nga inati, ai nuk e kuptoi se kishte përballë vajzën dhe filloi ta godiste”, vijuan avokatët.
Në momentet e arrestimit Malaj pyeti policët: “Si është Xhesika, a është mirë?”, duke dëshmuar gjendjen konfuze në të cilën ai ndodhej.
Pas vrasjes, burri ka xhiruar një video dhe ia ka dërguar një bashkatdhetari të tij, video e cila më pas është përhapur gjerësisht në rrjete sociale.