Ish-nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Arbër Braho, ka folur për shkarkimin e tij nga detyra.
Gjatë një lidhje live me “News24”, Braho ka thënë se pas vendimit të djeshëm të kryetares së Bashkisë, nuk ka pasur asnjë komunikim, as me kryeministrin Rama, zyrtarë të Bashkisë apo deputetë të Durrësit.
Ndërsa tha se ka liruar zyrën e tij në bashki që prej ditës së djeshme, Braho u shpreh se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore duke paralajmëruar një padi zyrtare.
Sa i takon statusit ndaj ish kryebashkiakut Dako, Braho tha se ishte status personal bërë në telefonin e tij përmes aplikacionit Whatsapp.
Ai i drejtoi edhe një “lutje” ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, duke i kërkuar që të paktën mos t’i heq gruan nga puna.
“Dako do vijojë të jetë në qendër të vëmendjes për sa kohë nuk do heqë dot nga drejtimi i bashkisë. Kam një kërkesë të paktën mos më heqë bashkëshorten nga puna, se edhe në luftë nuk i marrin dy vëllezër nga një shtëpi. Një ditë më parë mendova që mund të më heqin, e më hoqën ditën tjetër. Këto janë format e presionit”-tha ai.