Ish ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj është rikthyer në qeveri, këtë herë si këshilltare juridike e Kryeministrit Edi Rama
Bëhet me dije se ish-deputetja e Partisë Socialiste me rikthimin në ekzekutiv, do të ketë një rol kyç në koordinimin e nismave ligjore mes qeverisë dhe Kuvendit, duke vepruar si urë lidhëse ndërmjet dy institucioneve për përgatitjen dhe harmonizimin e akteve normative, projektligjeve dhe reformave ligjore që kërkojnë dakordësi politike dhe teknike.
Ky emërim vjen në një moment kur qeveria po përgatit një sërë ndryshimesh në fushën e drejtësisë, administratës publike dhe digjitalizimit të shërbimeve, fusha me të cilat Gjonaj është e njohur për eksperiencën e saj profesionale.
Etilda Gjonaj ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë në periudhën 2017–2021, gjatë mandatit të dytë të qeverisë Rama, duke qenë një nga figurat që mbështeti dhe ndoqi nga afër zbatimin e reformës në drejtësi.
Pas largimit nga qeveria, ajo ka vijuar të angazhohet në aktivitete akademike dhe profesionale në fushën e së drejtës dhe administrimit publik, ku në zgjedhjet e fundit udhëhoqi zgjedhjet në njësinë shtatë të kryeqytetit.
Me rikthimin e saj pranë Kryeministrit, Gjonaj pritet të luajë një rol të rëndësishëm në rishikimin e kornizës ligjore që lidhet me proceset reformuese të qeverisë dhe komunikimin institucional me Kuvendin e Shqipërisë.



