Ish-Blloku do të kthehet në zonë për ecje/ Rama: Përdorni këmbët, shmanget edhe trafiku!

“Tirana Walk 2021”, projekti më i ri për kryeqytetin parashikon kthimin e ish-Bllokut në zonë këmbësore.

Projekti i prezantuar sot, në mjediset e vilës 31, në praninë e kryeministrit Edi Rama, është bashkëpunim i Bashkisë së Tiranës me rrjetin botëror “WALK 21”, i cili promovon aktivitetin e ecjes.

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të këtij projekti në “zemër” të Tiranës, tha se ky është një hap i mirë edhe për shmangien e trafikut të automjeteve.

“Duhet të jemi kurajozë në këmbësorizimin e hapësirave dhe t’i shmangemi idesë fikse që duhen zgjeruar rrugët për të hequr trafikun. Kam parasysh rrugët e brendshme të qytetit, mund t’i zgjerosh me një korsi duke prerë pemët, por nuk do ndryshojë. Përkundrazi, ka shumë gjasë që intensiteti i trafikut të rritet. Ndërkohë, e kundërta rezulton e vërtetë. Dekurajimi i trafikut është përgjigja!“

Sipas tij, bizneset në këtë zonë do kenë mjaft përfitime.

“Kjo është një zonë qendrore, e aksesueshme lehtësisht, ku përgjithësisht distancat që duhen përshkuar s’janë të gjata. Duke stimuluar ecjen, do jetë shumë më efikase edhe për bizneset në zonë, që janë ato që ankohen të parat për ndërprerjen e aksesit deri te dera, por janë të parat që përfitojnë.”

Me nota humori, foli për benefitet që sjell ecja në këmbë.

“Mund të lini makinën, duke përdorur më shumë këmbët. Demokracia ka ardhur me shumë kolesterol në Shqipëri, pesha mesatare e popullatës është shumë më e rritur patjetër falë mirëqenies, por edhe helmeve e ushqimeve që mirë është që të evitohen. Por këtu s’dua të marr kompetencat e fushës së Nard Ndokës…”
Në lidhje me parkimin e dyfishtë, Rama e përmendi atë si një element që duhet të eliminohet për të lehtësuar trafikun dhe për të krijuar mundësi më të mira për qarkullimin e makinave dhe njerëzve.

“Ne do ndërhyjmë për të frenuar në mënyrë dramatike parkimin e dyfishtë!”, theksoi kreu i qeverisë.
Ai gjithashtu theksoi se zgjerimi i rrugëve nuk është gjithmonë zgjidhja për uljen e trafikut, duke e krahasuar me projektin e Lungomaren në Vlorë, ku një rrugë më e ngushtë ka pasur sukses në krijimin e një hapësire më të kënd.

“Do ju sjell rastin e Vlorës ku u bë një debat për Lungomaren ku projektuesit belg sollën një rrugë të ngushtë dhe ata që e kundërshtonin donin një rrugë shumë më të gjerë. Faktikisht rruga në Lungomare funksionon më së miri. Fakti që shkohet më shumë në këmbë sesa makinë, fluksi i njerëzve është shumë më i madh dhe natyrisht ajo çka u tha këtu është qasja e duhur që duhet një kohë informimi dhe shkëmbimit të projektit dhe idesë. Duhet të mendojmë më shumë hapësira për parkimin nëntokësor. Hapi tjetër është goditja e parkimit të dyfishtë që është problemi kryesor”, përfundoi Rama.
Projekti i referohet tre rrugëve kryesore të bllokut, Rrugës “Ismail Qemali”, rrugës “Pjetër Bogdani” dhe rrugës “Brigada 8”. Ai gjithashtu është i aplikuar në kryqëzimet e këtyre rrugëve dhe rrugës “Sami Frashëri”, si dhe përfshin disa rifinitura të rrugës “Vaso Pasha”.

Më konkretisht, rrugët “Brigada VIII” dhe “Pjeter Bogdani” do të çlirohen nga rreshti i parkimit, i cili do t’i shtohet hapësirës së trotuarit.

Ndërsa Rruga “Ismail Qemali”, duke qenë një rrugë kryesore, do të ketë një korsi biçikletash dhe vetëm një rresht parkimi. Për shkak të rëndësisë së saj është parashikuar parkim vetëm nga njëra anë, duke ruajtur një balancë mes aksesit të mjeteve dhe përparësisë për këmbësorët dhe çiklistët.

Të Fundit