Investimet në Tiranë/ Rama: Lum kush të rrojë ta shohë zonjë

Sot është mbajtur në Tiranë konferenca ndërkombëtare “Pact of Free Cities”, ku janë të pranishëm kryebashkiakët më të rëndësishëm të botës, por dhe personalitete të tjera.

Konferenca u përshendet nga Kryeministri Edi Rama, i cili kujtoi kohën kur dikur drejtonte Bashkinë e Tiranës, dhe si është shndërruar sot kryeqyteti shqiptar.

Kreu i qeverisë vlerësoi ndërtimet dhe investimet bashkëkohore në Tiranë, duke thënë se pas disa kohësh kur të jenë të përfunduara të gjitha projektet, do të duket plotësisht ajo që Rama e quajti “gjerdan të arkitekturës bashkëkohore”.

“Mbaj mend me çfarë lloj turpi e kam përjetuar kur sapo isha bërë kryetar bashkie dhe një gazetare dashamirëse italiane më tha më vjen shumë keq po në këtë qytet nuk mund të fotografosh asgjë përveç njerëzve. Dhe realisht ishte kështu. Po të doje ta mbroje Tiranën ose shqiptarët nga sytë përçmues vetvetiu të atyre që na shihnin nga jashtë, nuk mund dhe nuk duhet t’i tregoje fotografi nga Tirana apo qytete të tjera të tjera të Shqipërisë. Sot është krejt ndryshe. Sot Tirana është kthyer në një platformë të jashtëzakonshme të arkitekturës bashkëkohore. Ne kemi në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë një numër të konsiderueshëm arkitektësh të prestigjit më të lartë ndërkombëtar. Janë 8 apo 9 që bëjnë projekte në Shqipëri, dhe Tiranës i shkon më së mirë ajo shprehja “lum kush të rrojë ta shohë zonjë”. Sepse do duhet dhe ca kohë që gjithë këto projekte të kthehen nga dosje të punuara prej arkitektësh të jashtëzakonshëm në objekte. Megjithatë, tani ka filluar dhe duket kjo që po ndodh dhe ky është fillimi i një gjerdani të gjatë veprash mbreslënëse të arkitekturës bashkëkohore”, tha Kryeministri Edi Rama.

Pact of Free Cities synon të forcojë bashkëpunimin mes qyteteve, të ndajë praktikat më të mira dhe të sigurojë fonde direkte nga BE-ja për zhvillimin urban.

Me organizimin e këtij eventi, Tirana forcon rolin e saj si një aktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke u reshtuar krah qyteteve që mbështesin një shoqëri të hapur, të lirë dhe të barabartë.

Të Fundit