Integrimi në BE, Balla: Kur isha në opozitë ua lexoja evropianëve gabim raportin për Shqipërinë, por ata e lexonin vetë

Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, është shprehur se Shqipërisë i takon të jetë pjesë e BE, si një prej kombeve më të vjetra të Evropës.

Teksa fliste gjatë punimeve të Sesionit të Dytë të Takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian, Balla “këshilloi” opozitën, sipas tij, që të mos ua përkthejmë në shqip raportin për Shqipërinë europianëve, pasi e lexojnë vetë.

“Kur kam qenë në opozitë e kam bërë edhe unë ndoshta këtë gabim, që t’ua lexoj gabim raportin”, tha ai.

Balla shtoi se anëtarësimi i vendit duhet parë si një fitore e shqiptarëve, dhe jo si e shumicës.

“Anëtarësimi në BE është ribashkim me Europën, ku na takon të jemi si një prej kombeve më të vjetra të Europës. Do e mbyll duke u dhënë një këshillë kolegëve të opozitës, këta europianët i lexojnë vetë raportet për Shqipërinë, nuk ka nevojë t’ua përkthejmë ne në shqip.

Kur kam qenë në opozitë e kam bërë edhe unë ndoshta këtë gabim, që t’ua lexoj gabim raportin, por koha ka treguar që është moment historik për Shqipërinë që ta shohin të gjithë bashkë anëtarësimin si një fitore e shqiptarëve, jo si fitore e shumicës dhe humbje e pakicës”, tha Balla.

Të Fundit