Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton se do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë.
Shtyrja e publikimit të statstistikave ndodh për shkak të sulmit kibernetik të hakerave iranianë ndaj faqes së webit, e cila u hakerua më 31 janar nga “Home Laad Justice”.
Përmes një njoftimi publik për mediat INSTAT siguron qytetarët se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi. Por hakerat iranianë pretendojnë të kundërtën. Hakerat iranianë “Home Land Justice” pretendojnë se kanë hakuar edhe databazën e të dhënave nga censi.
Nëpërmet një mesazhi sot në Telegram, hakerat thanë se kanë akses në më shumë se 100 Tera Byte të dhëna nga INSTAT, ndërsa theksuan se të dhënat e shqiptarëve janë kopjuar dhe hequr nga serverat. Në përfundim të mesazhit hakerat thanë: “Të gjitha statistikat janë kundër jush”.
“ INSTAT është sekreti më i madh i së vërtetës. Tani kemi akses të plotë në mbi 100 Terabajt të të dhënave tuaja GIS dhe regjistrimit. Të dhënat janë kopjuar gjithashtu dhe hequr nga serverët. Do ta kthejmë Drejtësinë në atdheun tonë. Të gjitha statistikat janë kundër jush!”, thuhet në reagimin e grupit të hakerave, bërë në rrjetin social Telegram.
Hakerat iranianë njoftuan dje për hgerë të parë sulmin ndaj INSTAT, ku thanë se e kishin vënë në shënjestër sistemet e INSTAT.
Ata njoftuan se kishin mundur që të hakonin faqen e webit të Institutit Shqiptar të Statistikave, duke nxjerrë kështu dhe disa prej emrave të punonjësve të INSTAT, e-mailet, numrat e tyre të telefonit, madje dhe adresat e banesave. Pas kësaj INSTAT doli me dekllaratë zyrtare dje ku siguroi qytetarët se të dhënat e Censit oishin të sigurta.
Njoftim për Media nga INSTAT sot
Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton publikun se për shkak të një sulmi kibernetik që preku disa nga sistemet e tij më 31 janar 2024 do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë.
Sulmi kibernetik i cili synoi të dëmtojë të dhënat e INSTAT ka bërë që shërbimet e internetit të faqes zyrtare dhe emailit të jenë ndërprerë.
INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi. Ekipi teknik i INSTAT menjëherë aktivizoi protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme.
INSTAT do të vazhdojë aktivitetin e tij statistikor dhe do të përdorë mjete alternative komunikimi si adresa e email-it [email protected] dhe kanalet zyrtare të rrjeteve sociale, Instagram dhe Facebook.
INSTAT i kërkon ndjesë publikut për këtë pamundësi ofrimi shërbimesh momental që shkaktoi ky incident dhe siguron publikun se po punon intensivisht për të rikthyer shërbimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur. INSTAT do të njoftojë datat e reja të publikimit dhe falënderon përdoruesit, partnerët dhe veçanërisht ekspertët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe deri në funksionimin e plotë të gjithë sistemeve të Teknologjisë së Informacionit të INSTAT.
INSTAT mbetet i angazhuar për të siguruar statistika zyrtare me cilësi të lartë dhe të besueshme për përdoruesit.