- Statistikat e krimeve gjatë vitit të kaluar u shoqëruan me rënie në pjesën më të madhe të veprave penale. Megjithatë, për shkak të izolimit nga pandemia dhuna në familje dhe krimet në fushën e drogës u rritën.
Statistikat e krimeve tregojnë për një rënie të tyre gjatë vitit të kaluar, kur vendi hyri ne e izolim të plotë ose të pjesshëm për disa muaj me radhë. Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2020, janë evidentuar mbi 32.700 vepra penale ose 7,0% më pak, krahasuar me vitin 2019 (TAB). Denoncimet për dhunë në familje dhe krimet në fushën e drogës janë rritur, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pjesa tjetër e tyre ka pësuar rënie. Përdorimi dhe shitja e drogës u rrit duke tejkaluar me mbi 5 për qind rastet e 2 viteve paraardhëse.(TAB). Ndërkohë edhe vrasjet e mbetura në tentativë janë raportuar me rritje në krahasim me 2019-n, në 114 të tilla, duke u barazuar me shifrat e vitit 2018. Sa i përket vrasjeve me dashje, viti i kaluar regjistroi 52 viktima, ose 6 më pak se viti paraardhës. (TAB)
Sa i përket veprave penale të raportuara për dhunën në familje, ato u rritën me rreth 12.2%, dhe për psikologët, këtë fenomen e nxiti izolimi brenda banesës, sidomos gjatë muajve mars-qershor. Veprat penale për krime me dashje tortura, plagosje e rrahje janë rritur me 2.3%. Në vitin 2020, janë proceduar 40.956 autorë për vepër penale, ku meshkujt përbëjnë 94,8% të totalit, 31 % e tyre të grup-moshës 30-44 vjeç. Në vitin 2020, numri i të burgosurve ishte 4614, nga 5045 që ishin në vitin paraardhës.