‘Instagram Reality’ ekspozon marifetet e atyre që gënjejnë për pamjen

Subreddit-i më i ri në internet është përkushtuar ndaj ekspozimit të metodave, marifeteve, filtrave dhe vetë njerëzve prapa fotove më të rreme në internet.

Një subreddit është një komunitet specifik në internet që është pjesë e platformës Reddit, postimet e të cilit lidhen me një temë të caktuar, përgjithësisht të specifikuar që në titull.

Subreddits shënohen nga simboli karakteristik /r/, ndjekur nga emri i temës, p.sh., /r/gaming ose /r/politics etj.

Zbutja e puçrrave, hollimi i qafës, zgjatja e këmbëve, zhdukja e nofullave, lista nuk ka fund dhe vajzat nuk janë gjinia e vetme që e gjen veten të obsesionuar pas filtrave dhe trendeve më të reja të ‘vetë-zbukurimit’ në Instagram.

Një zbulim i shekullit të fundit, që për shumë është bekim, për të tjerë mallkim.

Termi i famshëm i dekadës së fundit, ‘cat-fish’ buroi pikërisht si pasojë e kësaj rryme të re filtrash e mashtrimesh online që i ka bërë gra dhe burra nga e gjithë bota të ndjehen padrejtësisht të ‘peshkuar’ nga persona që duken ndryshe në profilet e tyre nga se ç’janë në realitet.

Dhe kështu lindi edhe ky komunitet në Reddit i cili shprehet i dedikuar për të ekspozuar sa më shumë vipa apo personalitete që mashtrojnë ndjekësit e tyre me anë të imazheve të rreme që shumë kritikë i kanë fajësuar për krijimin e një standardi të ri bukurie i cili s’është veçse i rremë, i pashëndetshëm dhe jo-realist por edhe i paarritshëm.

Sipas disa studimeve serioze të viteve të fundit, nga 15-20% e vajzave të reja që përdorin Instagram kanë pranuar se ky rrjet social dhe të tjerë si ai, i kanë krijuar probleme me vetëbesimin, ndjesi depresive madje një përqindje më e vogël kanë cilësuar edhe ndjenjat e vetëvrasjes si një pasojë direkte e përdorimit të këtyre platformave.

Dhe vajzat dhe gratë nuk janë të vetmet që preken nga kjo.

Këto filtra nuk diskriminojnë. Djemtë dhe burrat e gjejnë gjithashtu veten të prekur nga këto standarde të reja bukurie, pasi hasen me qindra e mijëra foto që e tregojnë trupin mashkullor me muskuj dhe fibra që në raste të shumta nuk ekzistojnë aspak në realitet.

Redaktimi i fotove mund të jetë një lojë e rrezikshme. Një moment ju mendoni se thjesht do të përmirësoni ngjyrat në foto dhe para se ta kuptoni, subjekti i paraqitur është krejtësisht i panjohur për ju.

Por ju do ta postoni foton në rrjetet sociale duke pretenduar se ‘është thjesht një selfie…’ Ndërsa aplikacionet dhe faqet e internetit të dedikuara ndaj redaktimit janë bërë më të avancuara me kalimin e viteve dhe presioni për të qenë perfekt në internet duket se vetëm po rritet, Instagrami është i mbingopur me foto që janë jashtëzakonisht false…

 

 

Të Fundit