Është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë shtetasi Davide Pecorelli, i cili u akuzua për inskenimin e vdekjes së tij në Pukë rreth pesë vite më parë dhe shkalla e parë e Gjykatës Shkodër e ka dënuar me 4 vite burgim.
Ai u mor në dorëzim sot në Rinas nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe po dërgohet në Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale.
Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ndaj tij është caktuar masa “arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “mashtrimi”, “dhunimi i varreve”, “shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Më 31 Mars të këtij viti, pas Gjykatës së Perugia në Itali, edhe Ministria e Drejtësisë italiane kishte konfirmuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Vendimi përfundimtar i ekstradimit është marrë nga ministri italian i Drejtësisë Carlo Nordio, pasi gjykata e Apelit e Perugias dha dritën jeshile për ekstradimin e biznesmenit në maj të vitit të kaluar.
Shkak i inskenimit ishin borxhet që ai kishte pas falimentimit të biznesit, duke humbur gjurmët për shumë muaj, derisa u gjet në Itali, ku kërkonte thesarin e Monte Kristos.
Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 4 vite burg Davide Pecorellin më 3 prill të këtij viti, pasi që inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri në janar të vitit 2021
Në tetor 2022 prokuroria e Pukës mbylli hetimet dhe e akuzoi për 5 vepra penale, “Mashtrim” në bashkëpunim, “Dhunimi i varreve” “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
49 vjeçari u zhduk në janar të 2021 Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë.
Kur të gjithë e dinin të vdekur, biznesmeni italian Davide Pecorelli, u shfaq në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë me vete edhe ‘historinë’ se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur. “Po kërkoja një thesar” tha ai, deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij.