Incidenti i dhunshëm gjatë takimit elektoral, reagon Xhelal Mziu: Personi në video nuk jam unë, por babai i kandidatit të PS që godet kryetarin e PD-së Bulqizë

Pas publikimit të pamjeve të incidentit të dhunshëm gjatë një takimi elektoral në Ostren, ka reaguar sërish deputeti i PD-së Xhelal Mziu.

Mziu shprehet se pamjet tregojnë qartë se në konflikt nuk është përfshirë ai. Sipas Mziut, në pamje shfaqet Jeton Dani, babai i Murat Danit, kandidat i PS për deputet në qarkun Dibër, i cili shkon dhe godet kryetarin e PD-së në Bulqizë, Shaqir Manjanin.

“Në një video që Policia ka shpërndarë në media, duket qartë dhuna barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste Murat Dani, ushtron ndaj kreut të PD-së Bulqizë, Shaqir Manjanit, dhe më pas, me zyrtarë të tjerë socialistë, vijojnë ta dhunojnë, ku barbarizmi i tyre nuk ka kursyer as kreun e FRPD-së“, thotë Mziu.

“Sqaroj mediat dhe qytetarët se në atë video as nuk jam, e as nuk është episodi për të cilin fabrikon akuza Policia e Rilindjes, por është dhuna barbare e Jeton Danit, babait të kandidatit, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, për të cilën Policia e Shtetit refuzoi të pranonte denoncimin!”, nënvizon Mziu.

Gjithashtu Mziu ka apeluar SPAK “të marrë menjëherë masa për ndalimin e dhunuesve, vendosjen e tyre përpara ligjit, bashkë me autorët e manipulimit të provave për përfitime politike!”

Vijojnë sulmet dhe përdorimi politik i Policisë së Shtetit me shpërndarjen dhe manipulimin e opinionit publik, duke deformuar ngjarjen kriminale të dhunimit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Në një video që Policia ka shpërndarë në media, duket qartë dhuna barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste Murat Dani, ushtron ndaj kreut të PD-së Bulqizë, Shaqir Manjanit, dhe më pas, me zyrtarë të tjerë socialistë, vijojnë ta dhunojnë, ku barbarizmi i tyre nuk ka kursyer as kreun e FRPD-së.

Kjo është një provë e pastër për Policinë e Shtetit dhe për SPAK, e cila, në vend që të përdoret për të vënë në pranga dhunuesit e kreut të PD-së Shaqir Manjani, shpërndahet për opinionin publik sikur protagonisti jam unë!

Sqaroj mediat dhe qytetarët se në atë video as nuk jam, e as nuk është episodi për të cilin fabrikon akuza Policia e Rilindjes, por është dhuna barbare e Jeton Danit, babait të kandidatit, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, për të cilën Policia e Shtetit refuzoi të pranonte denoncimin!

Apeloj mediat të bëjnë saktësimin e nevojshëm dhe të mos përdoren nga fabrikimet kriminale të Rilindjes! Apeloj SPAK-un që të marrë menjëherë masa për ndalimin e dhunuesve, vendosjen e tyre përpara ligjit, bashkë me autorët e manipulimit të provave për përfitime politike!

Edhe njëherë garantoj qytetarët e Bulqizës dhe të gjithë qarkut të Dibrës se këto manipulime të Partisë Socialiste dhe Policisë së Shtetit nuk do të na trembin e as nuk do të na ndalin drejt fitores së sigurt më 11 maj!

Të Fundit