Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë për media ka rrëfyer jetën e tij në qeli dhe sfidat politike të forcës që drejton. Meta tha se PL ka kaluar momentet më të vështira, përfshirë “rrëmbimin” e tij dhe “tradhtinë e kolonës së pestë” në zgjedhjet e 11 majit, por tani është e gatshme të bëjë opozitë në parlament.
Ai u shpreh se me përfaqësimin e Tedi Blushit në Kuvend, zëri i Partisë së Lirisë do të dëgjohet më fort. Sipas tij, beteja kryesore mbetet kundër “korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës” dhe përgjegjësisë së SPAK për aferën e inceneratorëve.
Meta nënvizoi se burgimi nuk e ka thyer, por e ka forcuar. Ai e krahasoi përvojën në qeli me kohën kur iu përkushtua sportit të peshëngritjes, që e ndihmoi të kuptonte realitetin përtej “gënjeshtrave të lumturisë komuniste”.
Kreu i PL tregoi se kënaqësia më e madhe në burg është takimi me familjen, si dhe leximi dhe ushtrimet fizike. Ai po lexon librin autobiografik të Nelson Mandelës “Long Walk to Freedom”, nga i cili thotë se merr frymëzim për rezistencën ndaj regjimeve shtypëse.
“Vetëbesimi dhe vizioni më kanë ndihmuar gjithmonë. Edhe kjo përvojë do të vlejë për angazhimin tim në 30 vitet e ardhshme,” deklaroi Meta