Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, është rikthyer në burgun e Durrësit, pasi për disa javë u trajtua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për shkak të një infeksioni të rëndë në lëkurë. Burime nga Drejtoria e Burgjeve bëjnë me dije se pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, ai u transferua sërish në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, ku mbahet nën masën e sigurisë “arrest në burg”.
Beqja qëndroi në spital që prej datës 15 korrik, ndërsa në paraburgimin e Durrësit ndodhet prej më shumë se një viti, në kuadër të hetimeve për dosjen SASPAC, e cila lidhet me abuzime me fondet e donacioneve të huaja.
Sipas hetimeve, lista e akuzave ndaj Beqajt është zgjeruar ndjeshëm, duke përfshirë korrupsion pasiv, mashtrim me pasoja të rënda, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.
SPAK ka zbuluar se gjatë viteve 2022-2023, në kuadër të programit SASPAC janë zhvilluar procedura fiktive prokurimi për projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, ku fituesit e tenderëve ishin të paracaktuar, në shkelje të hapur të ligjit.
Ndërkohë, përveç këtij hetimi, Beqja po gjykohet edhe me procedurë të zakonshme për të ashtuquajturën dosje e sterilizimit, që lidhet me koncesionin e pajisjeve kirurgjikale në spitale.