Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi të martën fazën tjetër të shembjeve të ndërtesave në zonën e Unazës së Madhe njohur ndryshe si “Astiri”.
Përmes një njoftimi për mediat, IKMT tha se janë të paktën 17 ndërtesa nga një deri në tre kate të cilat janë parashikuar të shemben.
Inspektorati tha pa dhënë shifra konkrete se “një pjesë e tyre janë shpronësuar” dhe një pjesë tjetër “janë s’kualifikaur nga procedurat e shpronësimit”.
Prej dy vitesh projekti i rikualifikimit të pjesës perëndimore të Unazës së Madhe, nga rrethrrotullimi i Shkollës Teknologjike te Sheshi Shqiponja, ka hasur probleme në zbatim, kryesisht për shkak të kundërshtisë që kanë pasur banorët e zonës, të cilët preken nga zgjerimi i rrugës. Një pjesë e tyre nuk përfitonin dëmshpërblim nga qeveria pasi ndërtesat e tyre ishin në proces legalizimi.
Protesta të shumta penguan fillimisht punimet, ndërkohë që më pas në një prej tre segmenteve të rrugës u zbulua se kompania që e kishte fituar tenderin kishte falsifikaur dokumentet.
Aktualisht, prej vjeshtës së vitit 2019, autoritetet kanë shembur rreth 150 ndërtesa në gjithë zonën, ndërkohë që punimet kanë nisur vetëm në Sheshin Shqiponja.