25 raste me “Deltakron”, bashkim i Omicron dhe Delta
Identifikohet në Qipro një variant i ri i virusit SarsCoV2. Ai është një kombinim i varianteve Delta dhe Omicron dhe për këtë arsye është quajtur “Deltakron”. Lajmi raportohet nga agjencia e lajmeve Bloomberg që citon Leondios Kostrikis, profesor i shkencave biologjike në Universitetin e Qipros dhe kreu i Laboratorit të bioteknologjisë dhe virologjisë molekulare. Sipas tij tashmë janë identifikuar 25 rastet e para me këtë variant të ri të covid.
Kostrikis tha se “aktualisht ka infeksione të njëkohshme të Omicron dhe Delta dhe ne kemi gjetur se ky lloj është një kombinim i këtyre dy varianteve”. Ai është quajtur “Deltakron” për shkak të identifikimit gjenetike të ngjashme që ka Omicron dhe Delta. Sipas të njëjtave burime analizat statistikore tregojnë se infektimet me këtë variant janë më të shpeshta mes pacientëve të shtruar në spital për Covid sesa pacientët që po kurohen në shtëpi. Të dhënat për 25 rastet e identifikuara janë dërguar në Institutin Pastër në Paris që gjurmon ndryshimet e virusit.
“Ne do të shohim në të ardhmen nëse ky lloj është më patologjik apo më ngjitës apo nëse do të mbizotërojë” ndaj Delta dhe Omicron, tha studiuesi duke theksuar se, sipas tij ai mund të zëvendësojë variantin shumë infektues Omicron.