“Ia vlen të jetosh” slogani i tetorit rozë. Shtohen pacientët me kancer të gjirit, por diagnostikohen më shpejt

Në të gjithë botën, Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm në nivel global me rreth 2.3 milionë raste të reja çdo vit. Ai përfaqëson një të katërtën e të gjitha kancereve te gratë me 70% të vdekshmërisë. Barrierat e sistemit shëndetësor dhe faktorët si nivelet e ulëta të ndërgjegjësimit dhe njohurive tek pacientët po kontribuojnë në diagnoza në fazat e vona dhe rezultate të dobëta.

Në shumë mjedise me burime të kufizuara, kanceri i gjirit prek një popullatë relativisht më të re, duke kontribuar ndjeshëm në vdekshmërinë e parakohshme.

Luljeta Vathi onkologe pranë spitalit të Elbasanit tha se në 2008, incidenca ka qenë 1 ne 10 gra ndërsa tani është 1 në 8 gra.

“Ajo që është e rëndësishme të përmendim është se në krahasim me vitet më parë, është ulur mosha e grave të diagnostikuara por vihet re gjithashtu se po kapim gjithmonë e më shumë raste në stade të para kur para shumë vitesh, ishte e rrallë të kapej sëmundja në stadet e para”.

Eugena Tomini, drejtoresha e ISHP-së tregoi se janë 744 raste të diagnostikuara me kancer gjiri për 2023 dhe sipas analizave, kemi një rritje me vitet e tjera ku kanë qenë rreth 700 raste.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se në Elbasan situate nuk paraqitet e mirë, si qyteti ku janë shtuar më shumë rastet, si shkak i ekzaminimeve të vona.

Një vit më parë, në Shqipëri janë realizuar rreth 25 mijë mamografi. Nga të cilat, 5 mijë janë ekzaminime nga njësitë e mamografive të lëvizshme. 11 mijë prej tyre janë kryer në muajin tetor.

Në Shqipëri rreth 5 mijë gra jetojnë me sëmundjen e tumorit të gjirit, i cili prej vitit 2015 është rritur sipas statistikave të ISHP, me rreth 9%.

Kanceri i gjirit është përgjegjësi kryesor i vdekjeve nga kanceri tek gratë, me rreth 16% të të gjitha shkaqeve të sëmundjeve tumorale dhe 6% ndaj totalit të vdekjeve nga tumoret.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi sot se slogani për këtë vit është “Ia vlen të jetosh”.

“Slogani është zgjedhur si ndërgjegjësim për të rikujtuar të gjitha gjërat e bukura dhe të vlefshme që i japin kuptim jetës duke bërë thirrje për të kthyer sytë nga vetja për të kryer një kontroll. Do të duhet që gjatë muajit tetor, por  jo vetëm, gjatë gjithë muajve të vitit, t’i kthejnë sytë nga vetja, të kujdesemi për veten, të kujdesen për të dashurit e tyre, të kujdesen për motrat, për shoqet dhe t’i marrin përdore për të bërë një ekzaminim, një ekografi, një mamografi të domosdoshme për të shpëtuar jetën e tyre. “Ia vlen të jetosh” është një slogan që të bën të shikosh gjërat e vogla që në jetën e përditshme nuk marrin rëndësi, por janë gjërat e vogla që i japin kuptim jetës. Është dashuria për familjen, është shkëlqimi në sytë e fëmijëve, janë shumë gjëra të vogla të përditshme për të cilat ia vlen të jetohet dhe prandaj slogani është një thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat për të kthyer sytë nga vetja dhe për të bërë llogarinë sa shumë gjëra ka në jetë që ia vlen të jetohet”, u shpreh Koçiu.

Ministrja theksoi se ekzaminimi e më pas diagnostikimi i hershëm rrisin mundësinë e suksesit në kurimin e kësaj sëmundje.

“Për fat të keq, është një sëmundje që ka një trend rritës, por 99% e rasteve të zbuluara hershëm janë totalisht të kurueshme prandaj edhe muaji tetor i dedikohet ndërgjegjësimit pikërisht për të bërë kontrolle dhe për ta kapur hershëm këtë sëmundje. Sa më herët ta kapim, aq më probabilitet ka për ta kuruar suksesshëm”, vijoi ministrja.

Koçiu deklaroi se “për të ofruar lehtësira për ekzaminimin e kancerit të gjirit në spitale rajonale është hequr sistemi i referimit, pra pa pasur rekomandimin e mjekut të familjes sepse duam të shkurtojmë kohë për t’ju gjendur pranë kujtdo që do të marrë një shërbim. Kemi nisur gjithashtu edhe njoftimet nëpërmjet e-Albania që çdo grua të njoftohet për kryerjen e ekzaminimeve”.

“Në momentin që flasim për kancerin gratë ndërgjegjësohen, por në të përditshmen e tyre gratë e harrojnë veten ndaj ky tetor u dedikohet pikërisht atyre që të kthejnë sytë nga vetja për të thënë që t’i kushtojnë 15 minuta vetes në mënyrë që të sigurosh dhe fitosh betejën me jetën”, theksoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Të Fundit