Një grua nga Brazili qe u trajnua si oficere policie për të kapur vrasësin e babait të saj, më në fund arriti ta përmbushë premtimin e saj pas 25 vitesh pritjeje.
Gislayne Silva de Deus, ishte vetëm nëntë vjeç kur babai i saj, Givaldo, u vra për shkak të një borxhi prej 66 dollarësh. Ajo i kishte premtuar vetes se do ta gjente autorin dhe do të vendoste drejtësi për vrasjen e babait të saj.
Në vitin 1999, vrasësi, Raimundo Gomes, qëlloi Givaldo-n me një plumb në kokë pas një debati në një bar dhe u arratis. Pavarësisht përpjekjeve të shumta për ta gjetur, Gomes nuk u arrestua dhe çështja e tij u arkivua. Por, për vajzën e të Givaldo-s, e cila ishte më e madhja nga pesë motra, kjo çështje nuk ishte mbyllur kurrë.
Me vendosmërinë për të bërë drejtësi për familjen e saj, Gislayne studioi për drejtësi dhe më vonë u bë oficere policie në vitin 2023. Pasi iu bashkua policisë, ajo kërkoi që të caktohej në seksionin e vrasjeve për të zbuluar vrasësin e babait të saj.
Pas një kërkimi të gjatë, më në fund në shtator 2024, Gislayne dhe ekipi i saj arritën të gjejnë dhe arrestojnë Gomes në Boa Vista, një qytet në veri të Brazilit, në shtetin Roraima. Duke e parë përballë për herë të parë, Gislayne, tani 36 vjeç, i tha Gomes: “Prej meje je këtu dhe tani do të paguash për atë që ke bërë.”
Për Gislayne dhe familjen e saj, ky moment ishte çlirues. “Me arrestimin e tij, kam pastruar shpirtin tim dhe atë të gjithë familjes sime. Sot kemi paqe dhe ndjesinë që më në fund u bë drejtësi.”
Gislayne rrëfeu për mediat braziliane se kur pa Gomes-in me pranga, nuk mundi të përmbante lotët. “Ishte një shpërthim ndjenjash që u kthyen në lot çlirimi, pasi dukej sikur kjo ditë nuk do të vinte kurrë,” tha ajo.
Historia e saj është një shembull i jashtëzakonshëm i vendosmërisë dhe forcës për të kërkuar drejtësi për të dashurit e humbur, duke treguar që ndjekja e së drejtës mund të zgjasë, por në fund vjen me triumfin e drejtësisë.