I vodhi në banesë ish-bashkëshortes 5 milionë lekë, arrestohet polici në Gjirokastër

Agjencia e Mbikëqyrjes policore ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie.

Bëhet fjalë për policin e komisariatit të Gjirokastrës, Jaçe Reçka, i cili akuzohet për dhunë ndaj ish-bashkëshortes dhe vjedhje. Ai ka shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe i ka vjedhur në banesë një valixhe me 5 milionë lekë.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor J. R., me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Gjirokastrës, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja”, “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ish- bashkëshortja ka denoncuar punonjësin e policisë për shkelje të urdhrit të mbrojtjes, duke i vajtur në banesë dhe gjithashtu i ka marrë një valixhe ku ndodheshin një sasi prej 5 milionë lekësh. Pas marrjes së kallëzimit, u kryen veprimet hetimore dhe nga kontrolli në banesën e shtetasit SH. A. (kunati i punonjësit të policisë J. R.) u gjend valixhja dhe një portofol me shumën prej 8 000 Euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”.

Ndërkohë polici tjetër Llesh Tusha është arrestuar, pasi në gjendje të dehur është përplasur me një automjet tjetër në “Rrugën e Kombit”.

“Agjencia e Mbikëqyrjes policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor L.T., me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mirditë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Punonjësi i policisë gjatë drejtimit të mjetit në “Rrugën e Kombit” është përplasur me një automjet tjetër duke shkaktuar dëme materiale. Nga verifikimi me testin matës të alkoolit rezultoi pozitiv”.

Të Fundit