Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi të hënën grupin parlamentar ku deklaroi se zgjedhja e njëanshme e Avokatit të Popullit ishte prova bindëse se me Edi Ramën nuk mund të ketë asnjë lloj bashkëpunimi.
Sipas tij, opozita i tërhoqi të gjitha firmat për emrin e Shabanit dhe Rama zgjodhi pikërisht atë, duke tregua tolerancë zero ndaj balancës së pushteteve.
“Edi Rama faktoi zero tolerancës së tij ndaj balancës dhe kontrollit të pushteteve, faktoi dhe provoi se ai është i aftë të përmbysë gjithçka qoftë edhe për një përqindje minimale pushteti që duhet të ndante siç është rasti i Avokatit të Popullit për interes të funksionit të këtij institucioni në atë frymë të besueshmërisë para qytetarëve shqiptarë. Prej 2 vitesh mban peng procesin dhe në fund në mënyrën me të vendosur grabiti dhe emëroi njeriun e tij, emëroi një kryetar partie që ditën paraqitej si opozitë dhe natën flirtonte me të. E emëroi duke shkelur kushtetutën, e emëroi pasi të gjitha firmat e dhëna për të jo për t’u zgjedhur, për t’u listuar si kandidat që do shqyrtoheshin nga komisioni i ligjeve, firma që u tërhoqën një nga një prej nesh, siç është e drejta e çdo njeriu dhe Rama zgjodhi pikërisht atë duke shkelmuar praktikën e mëparshme, por edhe disa detyrime që rrjedhin nga procesi i integrimit të Shqipërisë. Ato firma ishin një gabim, një nxitim që ndodhi kur me këtë parti u vendos një lloj koalicioni për garën në Tiranë, i tërhoqëm të gjitha firmat. Me këtë akt Rama i dëshmoi opozitës dhe çdo shqiptari se asnjë lloj bashkëpunimi me të nuk shërben dhe nuk vlen”, tha Berisha.



