37-vjeçari shqiptar në Britani, i cili tentoi të vriste veten rreth një javë më parë, ndërroi jetë dje në spital. Sipas “The Guardian”, që citon burime nga Home Office, për vdekjen e të riut shqiptar janë nisur tre hetime.
I riu, i cili vdiq në spital dje, kishte tentuar të vriste veten një javë më parë në qendrën e largimit të emigracionit Brook House pranë aeroportit Gatwick dhe më pas u dërgua në Spitalin East Surrey, ku qëndroi në terapi intensive.
Ndërkohë sot Home Office ka konfirmuar vdekjen e 37-vjeçarit. Policia, mjeku ligjor dhe Avokati i Popullit i Burgjeve dhe i Provës kanë nisur hetimet.
Kujtojmë se në Brook House u organizua një protestë kryesisht nga shqiptarët pas tentativës së 37-vjeçarit për të vrarë veten dhe tentativës për vetëvrasje të një shqiptari të dytë.
Një shqiptar i pranishëm në protestë tha se dy personat që kishin tentuar të vrisnin veten kishin frikë për sigurinë e tyre për shkak të planeve të afërta për t’i kthyer në Shqipëri.
“Njëri prej tyre më tha se mendonte se do të ishte më mirë të vdiste në Mbretërinë e Bashkuar sesa të kthehej në Shqipëri. Trajtimi ynë në paraburgim nuk është i mirë. Ne nuk jemi kafshë, jemi njerëz”, tha ai.