Xhuma Halimllari, nga Korça, ushtron aktivitet në shitjen e fidanëve dhe në përpjekje për të blerë një traktor, aplikoi pranë AZHBR për subvencion, por aplikimi iu refuzua. Përmes një miku të përbashkët, ai u njoh me shtetasen Rediana Hysaj, e cila iu prezantua si punonjëse e AZHBR-së.Mes tyre u lidh një kontratë konsulence, ku Rediana Hysaj do të siguronte përfitimin e subvencionit. Për këtë shërbim, Xhuma Halimllari pagoi 36 milionë lekë të vjetra. Me kalimin e kohës, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, subvencioni nuk u realizua, traktori nuk u ble dhe paratë nuk u kthyen. Kjo situatë zgjati rreth 5 vjet.Nga verifikimet pranë AZHBR, rezulton, se Rediana Hysaj nuk ka qenë asnjëherë punonjëse e këtij institucioni dhe se nuk ka pasur asnjë aplikim të dytë pas refuzimit fillestar të Xhuma Halimllarit.Në bisedat e zhvilluara mes Rediana Hysajt dhe bashkëshortes së qytetarit, Rediana pranon detyrimin financiar dhe premton kthimin e parave.Në dhjetor, gjatë festave, Rediana Hysaj i premtoi takim qytetarit për sqarim, por nuk u paraqit.Nga kërkimet tona rezulton, se me mbiemrin e martesës Rediana Sokoli, kjo e fundit ka pasur një studio arkitekture në zonën e ish-Bllokut, e cila ishte mbyllur prej rreth një muaji. Studioja ishte zhvendosur në Sauk, por edhe aty nuk ka më aktivitet. E kontaktuar në telefon, Rediana deklaroi, se nuk e ushtron më profesionin.Pas gjithë këtyre përpjekjeve, Rediana Hysaj ka kontaktuar djalin e Xhuma Halimllarit, duke premtuar kthimin e parave.




