I moshuari nuk heq dorë nga arsimimi: 74-vjeçari, maturanti më i vjetër në Shqipëri

Në moshën 74-vjeçare, Skënder Cena rikthehet në bankat e shkollës me një qëllim të qartë për të përmbushur një ëndërr të vjetër. Sot, në Kamëz, ai ishte maturanti më i moshuar që u ul për të dhënë provimin e gjuhës angleze, pengesa e fundit drejt diplomës.

– Advertisement –
I lindur më 8 nëntor 1951, Skënderi është një shembull frymëzues i vullnetit dhe këmbënguljes. Në vitin 2016, ai përfundoi mësimet në ciklin part-time të Shkollës së Mesme Profesionale Kamëz, duke kaluar të gjitha provimet… me përjashtim të njërit, gjuhës së huaj.

Pas gati një dekade, ai vendosi të mos e lërë pezull këtë kapitull. I vetëdijshëm se diploma kërkon edhe kalimin e këtij provimi, Skënderi aplikoi me formularin A1Z për të marrë pjesë, duke kërkuar edhe asistencë për shkak të problemeve me shikimin.

Sot ai është sërish në klasë, me stilolaps në dorë dhe me ëndrrën ende të gjallë. Rasti i tij tregon se dëshira për të mësuar nuk njeh moshë dhe se ndonjëherë, më të fortët janë ata që nuk dorëzohen kurrë.

Të Fundit