Një 32-vjeçar nga Delvina është vënë nën procedim penal nga Policia e Sarandës, pas kallëzimit të bërë nga një shtetase, e cila e akuzon për mashtrim financiar. Sipas informacioneve zyrtare, i riu ka marrë një shumë të konsiderueshme parash me premtimin se do të kryente punime në banesën e saj, por më pas nuk ka përmbushur detyrimin.
Ngjarja është bërë publike nga policia, e cila njofton se materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin H. R., 32 vjeç, banues në Delvinë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasja R. K., 58 vjeçe, banuese në Fier, se i ka marrë një shumë lekësh me pretendimin se do i kryente disa punime në banesë, duke e mashtruar atë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.