Policia ka arrestuar këtë të shtunë një imazherist në Spitalin Rajonal të Fierit, pasi merrte shuma parash pacientëve për t’u kryer ekon abdominale.
Në kudër të operacionit “Imazheria”, është arrestuar imazheristi G. T., 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në Spitalin Rajonal Fier. Sakaq, ky shtetas, shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në 2 klinika private në Fier.
Sipas raportimeve, gjatë kontrollit të banesës u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e lekëve prej 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollar.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se: “Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëm Fier, ka regjistruar procedimin penal nr.929 datë 01.07.2025, për veprën penale të dyshuar “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, hetim i cili pas 4 muajësh u finalizua me arrestimin në flagrancë të shtetasit G. T., 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në Spitalin Rajonal Fier”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.



