Influencuesi kontrovers britanik, Andrew Tate, i cili ndodhet në arrest shtëpie pasi së bashku me të vëllanë akuzohen për trafikim njerëzor dhe përdhunim në Rumani, së fundmi është shfaqur në podcast-in “Anything Goes With James English”.
Sipas asaj që raportojnë mediat e huaja, ai ka folur rreth akuzave e për gjithçka tjetër që është përmendur gjatë kësaj kohe.
Një nga pyetjet e moderatorit kishte të bënte me atë se përse nuk qëndroi në Rumani.
“Duke qenë se është kështu pse nuk qëndrove atje?”, ka qenë pyetja që iu parashtrua nga English.
“Po, pyetje e mirë. Sepse sinqerisht e dashuroj Rumaninë. Kam qëndruar shtatë vite atje. E dashuroj këtë vend dhe është plot me njerëz të mirë, më duhet të jem i sinqertë e të them se 99 për qind e rumunëve që takoj më kërkojnë të falur, ‘na vjen keq vëlla’, më thonë të gjithë. E kuptojnë të gjithë ç’po ndodh”, u shpreh ai.
“U vjen vërtet keq, është një vend i mirë i mbushur me njerëz të mirë, erdha të bëj gati valixhen dhe më kapën. E dija që po kurdisnin diçka. Por më shumë i shqetësuar isha për disa gangsterë shqiptarë, më shumë se sa për ligji sepse unë nuk e thyej ligjin”, shtoi mes tjerash Tate.
Së fundmi njësia e prokurorisë kundër krimit të organizuar (DIICOT) ‘urdhëroi ngritjen e aktakuzës’ ndaj katër të pandehurve për vepra duke përfshirë: ‘krijimin e një grupi të organizuar kriminal, trafikimin e personave dhe përdhunim’.
Vëllezërit Tate, ish-kikboksierë që kanë kombësi amerikane dhe britanike me miliona ndjekës në internet, janë të dyshuarit e profilit më të lartë që do të dërgohen në gjyq në Rumani për trafikim njerëzor.