I doli emri në listën e publikuar nga hakerat, reagon Elisa Spiropali

Hakerat iranianë që sulmuan Shqipërinë, vijojnë të publikojnë të dhëna mjaft sensitive nga sistemet kompjuterike shtetërore.

Në një grup në Telegram, hakerat e “Homeland Justice” kanë publikuar listat që dyshohet se kanë dalë nga sistemi i policisë “MEMEX”, ku janë të listuar personat që kanë qenë të dyshuar apo të verifikuar nga policia.

Një ndër personat në listë është Elisa Spriopali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ajo ka reaguar në rrjetet sociale, ku deklaron se të dhënat e publikuara nga hakerat nuk janë nga sistemi MEMEX, dekalaratë që e bëri edhe policia.

“S’ka më jo turp, po as një minimum sensi logjik të kanaleve e të portaleve në raport me publikun, se për ndonjë ndjenjë minimale patriotizmi as bëhet fjalë! Hakerat e një vendi armiqësor me Shqipërinë postojnë lista me emra pa lidhje dhe këtu hidhen gjylet e akuzave absurde!
Thotë Saliu lista Memex, vu portalet lista Memex. Përgënjeshtroi Policia nuk është lista Memex, por lajmet e portaleve mbetën.
Shkurt, e hodhën ata një gur në lumë dhe tani o burra të gjejmë ç’lidhje ka Elisa, Niko, Mimi e të tjerë apo edhe disa gazetarë në listën e të dyshuarve të Policisë! Kanë vetëm një lidhje: Lidhjen mes keqdashësisë së atyre që e hedhin gurin dhe ligësisë së atyre që gjoja s’e nxjerrin dot! Qesharake!”, deklaron Spiropali.

Të Fundit